Fondi i Shtëpisë Studio Kadare

Tirana Tech krijoi “Shtëpia Studio Kadare”, fillimisht si një muze qytetës, për ta zhvilluar në një hapësirë kulturore e cila shtjellohet në apartamentin ku shkrimtari Ismail Kadare banoi nga viti 1974 deri në fillim të vitit 1990. Fuqia e kësaj hapësire qëndron te natyra dhe funksionet e shumëfishta të saj. Duke ecur në të njëjtën atmosferë vetjake ku dikur jetoi e shkroi Kadare, rrokim me mend e ndjesi punën e tij, vendet ku shkroi, librat që e formuan, njihemi me historikun e jetës së tij private dhe publike dhe kemi fatin të shohim nga afër dorëshkrime, pishtullarë, përkthime, fotografi dhe gjithçka tjetër që i vlen njohjes së këtij personaliteti sa kompleks aq edhe kombëtar e ndërkombëtar. Shtëpia Studio Kadare mëton t’i grishë vizitorët e saj vendas e të huaj drejt të kuptuarit më të thellë të historisë shqiptare gjatë totalitarizmit pesëdekadësh, duke u bërë vetë frymëzuese e nxitëse për kërkime mbi letërsinë dhe historinë shqiptare të asaj periudhe, periudhë për të cilën shumëçka mbetet ende për t’u thënë a interpretuar.
Përveç përmasës personale Shtëpia Studio Kadare funksionon si hapësirë studimore. Me botimet e saj origjinale në Shtëpi, me bibliotekën kushtuar Kadaresë si edhe bibliotekën e pasur vetanake të shkrimtarit, dhoma jonë e katërt përbën dhe zemrën përherë të re e aktive kushtuar studimit, e cila synon të ofrojë një hapësirë për cilindo studiues a dashamirës dijeje.
Veç funksionit si një hapësirë kulturore Shtëpia Kadare ka edhe faqen e saj në web https://shtepiakadare.tirana.al/, ku mes shumë shërbimeve sektori i zhvillimit u mundëson të gjithë lexuesve të kontrollojnë nëse libri që dëshirojnë ndodhet në fondin e shtëpisë muze.Ky aplikacion web u krijua nga Drejtoria e Përgjithshme së Teknologjisë, Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave. Në aplikacionin web pasqyrohen të gjithë titujt e Bibliotekës Kadare, së bashku me specifikimet dhe veçoritë përkatëse.
Fondi i Shtëpisë Studio Kadare përfshin shumëllojshmëri materialesh burimore. Ai kryesisht përbëhet nga mbi 1000 libra të autorit, një pjesë e të cilëve bartin dedikime, tregues të thurjes sociale të kohës, apo përkthime poezish të pabotuara ndonjëherë të Ismail Kadaresë

Hapësirë kulturore
Vizituar nga turistët

Aksesim në web

Hapësirë studimi
Shopping Basket