Zyra e Këshillimit të Karrierës

Platforma e krijuar është e aksesueshme për këdo që ka nevojë të marrë informacione për karrierën si dhe në shërbim të stafit të Bashkisë Tiranë. Në të serviren të gjitha informacionet dhe shërbimet të cilat ofrohen për qytetarët në faqen web dhe përditësohet/menaxhohet nga stafi i Bashkisë Tiranë, persona të autorizuar për të kryer këtë proçes. Ajo çfarë tjetër kjo platformë mundëson është krijimi i aktiviteteve, përpunimi i të dhënave dhe gjenerimi i raporteve në shërbim të vijimësisë së punës.
Krahas sistemit të rekrutimit që Bashkia Tiranë menaxhon, në bashkëpunim me Risi Albania, kanë krijuar faqen web Zyra e Këshillimit të Karrierës me qëllim informues për vizitorët e faqes. Faqja ofron mundësi interaktiviteti për përdoruesit e regjistruar, të cilët mund të rezervojnë takimin e tyre dhe mund të plotësojnë testet tek të cilat kanë të drejta. Gjithashtu, mundëson trajnime të ndryshme dhe informacione se cilat janë qendrat e liçensuara për të ofruar një trajnim të caktuar. Kjo platfomë në përbërjen e saj mundëson informacione dhe vetëshërbim online, këshillim individual, teste vlerësuese, edukim mbi karrierën dhe këshillime në grup.
Informacion dhe vetëshërbim online, Bashkia Tiranë do të ofrojë informacion të pavarur lidhur me arsimimin, formimin dhe planifikimin e zhvillimin e karrierës. Pranë kësaj zyre, të rinj e të rritur do të gjejnë informacion mbi profesionet dhe mbi tregun e punës.
Këshillimi individual do të realizohet nëpërmjet bashkëbisedimeve të shkurtra dhe të strukturuara, do të trajtohen pyetjet që të rinj e të rritur kanë mbi mundësitë e arsimimit, formimit në fusha të ndryshme, mundësitë e punësimit për profesione të caktuara, dhe ofertat aktuale të praktikave. Në këto bashkëbisedime janë të mirëpritur edhe prindërit, të cilët mund të vijnë vetëm, ose me fëmijën për të bërë një bisedë njohëse dhe orientuese. Në këto seanca këshillimi individual, të rinj e të rritur mund të shkëmbejnë me një këshillues karriere nëse janë duke zgjedhur një profesion, nëse janë duke eksploruar interesat dhe aftësitë kundrejt mundësive në tregun e punës, apo janë duke qartësuar mendimet dhe ambiciet për zhvillimin e karrierës. Këto seanca ndihmojnë me vendimmarrjen dhe planifikimin e hapave të mëtejshëm.
Testet vlerësuese do të ofrojnë përdorimin e instrumentave bashkëkohorë për të hulumtuar fushat e interesit të individëve dhe për të analizuar nevojat për këshillim e orientim, sikurse dhe vështirësitë në vendimmarrjet në karrierë që të rinj e të rritur hasin në rrugëtimin e tyre profesional.
Edukimi mbi karrierën do të realizohet nëpërmjet këshilluesve të karrierës, të cilët do të ofrojnë edukim për karrierën duke filluar nga arsimi fillor: në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit kujdestarë, psikologët dhe punonjësit socialë në shkolla, nxënësve do t’u ofrohen module të përqëndruara edukimi për karrierën. Ata do të kenë mundësi të mësojnë për profesionet dhe rrugëtimin për një karrierë profesionale. Edukimi mbi karrierën do të realizohet në seanca informimi dhe këshillimi në grup zakonisht në mjediset e shkollave. Këshilluesit e karrierës do të jenë në shkolla në ditë dhe orare të caktuara sipas një kalendari të dakortësuar paraprakisht me secilën shkollë.
Këshillimet në grup do të realizohen duke organizuar veprimtari të vazhdueshme mbi tematika të ndryshme për të ndihmuar të rinj e të rritur me planifikimin dhe zhvillimin e karrierës. Disa nga temat e këtyre aktiviteteve do të kenë në fokus thellimin në profesione të caktuara, në drejtime të caktuara në arsimin profesional, për mundësi studimi apo edhe për njohjen e vetë shërbimeve të Zyrës së këshillimit të karrierës. Zyra e këshillimit të karrierës do të ndajë me gjithë të interesuarit një kalendar të këtyre veprimtarive.
Zyra e Këshillimit të Karrierës në Bashkinë Tiranë ka për mision të ofrojë informacion të pavarur lidhur me arsimimin, formimın dhe planifikimin e zhvillimin e karrierës. Nëpërmjet informacionit dhe shërbimeve të këshillimit zyra ka për mision të ofrojë për të rinjtë dhe të rriturit e interesuar, një hapësirë të sigurtë për të ndihmuar në planifikimin dhe zhvillimin e karrierës. Në faqen web janë paraqitur të gjitha shërbimet e Qendres së Karrierës.

Mundësi interaktiviteti
Trajnime të ndryshme
Këshillim individual/grup
Teste Online
Shopping Basket